Në fillim të viteve 90, emigrantët ballkanikë në Turqi nisën një “tregti me valixhe” ndërmjet Turqisë dhe vendeve të origjinës. Ata blinin produkte të ligjshme me çmime të lira në Stamboll dhe i shisnin me çmime më të shtrenjta në tregjet ballkanike.
Ata ishin në gjendje që të udhëtonin lirshëm midis këtyre vendeve, pasi Turqia aplikonte një politikë të lirshme vizash për shtetasit e vendeve të Ballkanit perëndimor. Ky aktivitet nuk ishte ende krim i organizuar, por tregtia me valixhe u shfrytëzua shumë shpejt nga grupet turke dhe të Ballkanit perëndimor për kontrabandën e cigareve dhe drogave.
Në fakt, ndërkohë që disa përdornin valixhe, disa të tjerë përdornin kamionë dhe çirakët shqiptarë e përvetësuan shumë shpejt artin e tregtisë së paligjshme që e mësuan nga shefat turq. Ata përfitonin nga numrat gjithnjë e të mëdha të emigrantëve shqiptarë në Evropën perëndimore për të zgjeruar rrjetin dhe veprimtaritë e tyre.
Shumë shpejt shqiptarët (veçanërisht nga Kosova) u përfshinë në të gjitha hallkat e zinxhirit të trafikut: që nga blerja e drogës nga grupet turke, trafikimit të drogës (shpesh nëpërmjet Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut), dhe shpërndarjes së saj nëpërmjet diasporës në Evropën perëndimore.
Si shembull mund të merret Sami Hostan, që njihej në botën e krimit edhe me nofkën Arnaut (shqiptari) Sami. Familja e tij kishte emigruar në Turqi nga Maqedonia e Veriut. Sipas burimeve policore turke, Hostani trafikonte sasi të mëdha droge nëpër Turqi, Amerikën e Jugut, dhe Evropë.
Ai kishte lidhje të dyshimta biznesi me rrjete të trafikimit të drogës në Holandë dhe Kolumbi. Brenda një kohe të shkurtër arriti të fitojë shuma të mëdha nga trafiku i narkotikëve. Më pas filloi të investonte shumë në fushën e lojërave të fatit dhe ishte një nga pronarët e kazinosë në Hotel Sheraton në Stamboll. Sami Shqiptari u dënua me katër vjet burg për krijimin dhe drejtimin e një rrjeti kriminal.
Trafikantët ballkanikë kanë përfituar nga bumi i heroinës në Afganistan gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Grupet kriminale turke dhe nga Ballkani perëndimor bëjnë edhe përpunimin e heroinës që transportojnë, duke ulur nivelin e pastërtisë dhe duke shtuar kështu fitimet e tyre. Në pikat e hyrjes në lindje të Turqisë, pastërtia e heroinës është zakonisht në nivelin 70 për qind dhe ulet nën 50 për qind kur kalon në krahinat perëndimore.
Kjo tregon se pastërtia e heroinës reduktohet për të rritur fitimet. Në vitin 2015 u llogarit se fitimi i përgjithshëm bruto nga trafikantët e opiateve në Evropën juglindore ishte rreth 1.7 miliardë dollarë në vit.
Në të njëjtën kohë, një kërkesë në rritje për kanabis, ekstazi dhe droga sintetike në Turqi krijoi mundësi për shtetasit e vendeve të Ballkanit perëndimor që të transportonin këto lloj drogash nga Evropa në Turqi në shkëmbim të heroinës. Po kështu, taksat e larta mbi cigaret në Turqi krijuan një treg në rritje për kontrabandën e cigareve shumë më të lira nga Ballkani. Në fakt, thuhet se disa grupe që trafikonin heroinë kaluan tek kontrabanda e cigareve falë fitimeve të mëdha dhe rrezikut më të vogël për t’u dënuar me burg.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, Turqia po kërkonte për investime të reja. Në fillim të viteve 90 u miratuan disa ligje për të lehtësuar udhëtimin dhe investimin në Turqi. Një nga efektet anësore të këtij procesi ishte se kriminelë nga vende të Ballkanit perëndimor që hiqeshin si biznesmenë e kishin të lehtë të udhëtonin dhe të bënin tregti në Turqi, dhe madje edhe të pajiseshin me pasaporta turke dhe të pastronin para.
Po kështu, edhe shtetasit turq e kishin më të lehtë që të merrnin pasaporta dhe viza nga vendet e Ballkanit perëndimor. Që nga viti 2020, shtetasit e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor mund të qëndrojnë në Turqi deri në 90 ditë pa patur nevojë për viza. Mund të përdorin letërnjoftimet e vendeve të origjinës dhe pasaportat e tyre janë në vlefshme në Turqi për pesë vjet edhe pas afatit të skadencës. Në mënyrë reciproke, shtetasit turq mund të qëndrojnë në vendet e Ballkanit perëndimor pa viza për 90 ditë. Ky sistem lëvizjeje pa viza krijon shumë hapësira dhe mundësi për grupet kriminale për trafikim midis këtyre dy rajoneve.
Po kështu, shumë emigrantë nga vende të Ballkanit perëndimor kanë shtetësi të dyfishtë, gjë që i lejon të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Turqisë dhe vendeve të tyre të origjinës. Në vitin 2018, qeveria turke paraqiti një politikë të re për dhënien e nënshtetësisë, që shkaktoi rritjen e fluksit të krimit të organizuar në vend. Sipas rregullave të reja, kushdo që fut 250,000 dollarë në Turqi fiton nënshtetësinë turke pa patur nevojë që të justifikojë burimin e parave.
Kjo politikë krijon avantazhe për persona me të ardhura të paligjshme, dhe disa prej tyre kanë blerë prona luksoze, veçanërisht në Stamboll dhe Izmir, dy qytete që shërbejnë si pika koordinimi për pazare të paligjshme në nivele rajonale. Gjatë 20 viteve të fundit, ka patur një rritje të madhe të aktivitetit tregtar ndërmjet Turqisë dhe vendeve të Ballkanit perëndimor, falë një sërë marrëveshjesh për liberalizimin e tregtisë.
Disa grupe kriminale, si në Turqi ashtu dhe në Ballkanin perëndimor, kanë shfrytëzuar këtë hapje duke krijuar kompani fantazëm për të maskuar trafikimin e sasive të mëdha të drogave, cigareve dhe armëve.


