Sot bëhen 25 vite nga zhdukja e biznesmenit Remzi Hoxha, trupi i të cilit nuk është gjetur as sot e kësaj dite.
Djali i tij Ardian Hoxha në emisionin “Repolitix” ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe SHIK-un e drejtuar nga i ndjeri Bashkim Gazidede se ishin ata që e rrëmbyen babanë e tij.
Ai shprehet se këtë e kanë kuptuar nga targa e makinës që rrëmbyen Remzi Hoxhën, targë e cila i përkiste SHIK-ut, por që asnjëherë nuk u pranua nga policia.
Ardian Hoxha thotë se ka patur shpresë së me ardhjen e Ramës në pushtet do të mund të gjentë trupin e të atit, por shprehet i zhgënjyer se emri i të atit është përdorur për të akuzuar Berishën, dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për të gjetur trupin e tij.
“Është një kohë shumë e gjatë dhe ne po keqtrajtohemi si familje. Ka shumë vite që ia bëjmë vetes pyetjen se a do i gjejmë eshtrat. Rrëmbimi u bë në vitin 1995, kur në pushtet ishte PD dhe është SHIK-u i Sali Berishës që ushëhiqej nga Bashkim Gazidede që e kryen krimin. Që kur u denoncua rasti në komisariatin nr.3 në Tiranë dhe iu dhanë targën, ajo targë ishte e përdorur nga SHIK. Kalonin ditët dhe ne nuk e kishim babin në mesin tonë, pastaj kaluan muaj e vite dhe donim të besonim se ishte gjallë.
Kur erdhi në pushtet Edi Rama, kishim shpresë te ai, pasi kryeministri, Braçe dhe Gramoz Ruçi e shfrytëzonin rastin për të akuzuar Berishën, ndaj ky i fundit thoshte e keni bërë politike. Tashmë po përfundon mandati i Ramës dhe akoma nuk e kemi varrin e babit tim”, tha Ardian Hoxha.