Vitin a kaluar, ndotja e ajrit ka shkaktuar vdekjen e parakohshme të gati gjysmë milioni foshnjave në muajin e tyre të parë të jetës, tregojnë të dhënat. Ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit është i dëmshëm dhe për foshnjat që janë ende në barkun e nënës. Mund të shkaktojë një lindje ë parakohshme ose peshë të ulët të lindjes. E si pasojë, të dy këta faktorë shoqërohen me vdekshmëri më të lartë të foshnjave.
Gati dy të tretat e 500 mijë vdekjeve të foshnjave të dokumentuara, ishin të lidhura me ndotjen e ajrit në ambientet e brendshme, veçanërisht që buronin nga lëndët djegëse të ngurta si qymyr druri.
Këto të dhëna janë në raportin e Gjendjes Globale të Ajrit 2020, i cili shqyrtoi të dhënat për vdekjet në të gjithë botën, së bashku me një numër kërkimesh në rritje që lidhin ndotjen e ajrit me problemet shëndetësore.
Ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar për vite me radhë për ndikimet e ajrit të ndotur te njerëzit e moshuar dhe tek ata me gjendje jo të mirë shëndetësore. Por vetëm tani kanë filluar që të kuptojnë numrin vdekjeprurës të foshnjave në bark.
Shkencëtarja kryesore në Institutin e Efekteve Shëndetësore, Katherine Walker, e cila botoi edhe raportin, është shprehur: “Ne nuk i kuptojmë plotësisht se çfarë mekanizmash janë në këtë fazë, por ka diçka që po ndodh që po shkakton ulje të rritjes së foshnjës dhe në fund të fundit peshën e lindjes. Ekziston një lidhje epidemiologjike, e treguar në shumë vende e në studime të shumta”.
Foshnjat e lindura me një peshë të ulët të lindjes janë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të fëmijërisë dhe pneumonisë. Mushkëritë e foshnjave para lindjes gjithashtu nuk mund të zhvillohen plotësisht.


