Sot në orën 11:00 pritet të zhvillohet seanca e radhës në Apel për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurve të tjerë. Në seancën e sotme nuk dihet si do procedohen pasi Etleva Temo, anëtare e trupit gjykues është shkarkuar nga Vettingu. Gjyqi ka hyrë në ngërç për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe sëmurjes së shpeshtë të avokatëve mbrojtës.
Gjyqi ka dy vite që shtyhet në Apel, ndërsa senaca për Shullazin është kthyer në një telenovelë. Në gjykim së bashku me Shullazin janë edhe 4 të pandehurit e tjerë Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja.
Prej nëntorit 2018, procesi gjyqësor ndodhet i bllokuar në gjykatën e Apelit, ku herë për mungesë të gjyqtarëve dhe herë për mungesë të avokatëve, kjo situatë nuk po merr zgjidhje, duke u shtyrë pa fund një ndër proceset më të rëndësishëm që ndodhet në këtë gjykatë. Në seancën e kaluar u shty për shkak të mungesë të avokatëve mbrojtës.
5 të pandehurit që akuzohen nga prokuroria për “Shtrëngim me anë të kanosjes me qëllim marjen e pasurisë” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të organizuar kriminal”, “Mbajtjes pa lejë të armëve” dhe “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Biznesmeni Ylvi Beqja, ka treguar në gjykatë se përmes presioneve dhe kanosjeve të vazhdueshme i ka dhënë Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të grupit të tij, shumën prej mbi 560 mijë euro. Por nga kjo shumë prokuroria mundi të faktojë vetëm 5 tërheqje me çek në bankë.
Në nëntor 2018, një trupë gjykuese e drejtuar nga gjyqtari Fran Prendi, dënoi me 14 vite burg, Emiljano Shullazin, për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e presionit dhe kanosjes ndaj dy rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule dhe atë të shkatërrimit të pronës, për vendosje tritoli biznesmenit Jani Zaka në Tiranë dhe Adriatik Kuçuku në Lushnje.
Për katër anëtarët e tjerë të grupit, Gjykata e shkallës së Parë, ka dhënë 12 vite burg për Gilmando Danin, Indrit Qyqja 10 vite, Indrit Zela 10 vite dhe Blerim Shullazi 9 vite burg. Në vendimin e Gjykatës theksohet se askush nga të dënuarit nuk do të përfitojë liri me kusht.


