Me shtimin e virozave duket se edhe frika e njerëzve është shtuar përballë rrezikut COVID-19 që ka gjunjëzuar gjithë botën. Sezoni vjeshtë-dimër pritet sipas ekspertëve të shtojë ndjeshëm rastet dhe 127 është sistemi i parë i ngritur që sinjalizon fluksin që do të pasojë në spitale.
“Ka një shtim të numrit thirrjeve drejt 127 pasi njerëzit marrin në telefon me shenjën e parë që kanë jo vetëm për t’u informuar, por dhe për të bërë tamponin”, tha drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj në “Wake up”.
Tirana, Shkodra, Durrësi janë qytetet nga vijnë më shumë thirrje drejt numrin të Qendrës Kombëtare të Urgjencës.
Për t’i paraprirë një situate të vështirë që mund ta çonte sistemin shëndetësor në kolaps, janë përgatitur disa skenarë. Krahas 4 spitaleve COVID, në trajtimin e pacientëve me COVID-19 do të jenë në funksion edhe spitalet rajonale. Në skenarin e parë do të përfshihen spitalet rajonalë në Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Shkodër. Në skenarin e dytë përfshihen spitalet rajonale të Beratit, Lezhës dhe Fierit. Në skenarin e tretë përfshihen spitalet rajonale të Gjirokastrës, Dibrës dhe Kukësit. Ndërkohë është rritur me 30% numri i epidemiologëve në terren për të monitoruar situatën.
Duke qenë se tashmë pritet që të qarkullojë dhe gripi sezonal, i cili ka simptoma të ngjashme me Covid19, pritet që të ketë një konfuzion të madh në opinionin publik, të cilët do të kërkojnë ndihmë në numrin 127 të urgjencës kombëtare.


