Gjykata e Apelit të Tiranës pushon çështjen në ngarkim të biznesmenit Kastriot Ismailaj, i dënuar me 11 vite burg për skandalin CEZ-DIA.
Ky vendim i Gjykatës së Apeelit vjen pasi çështja ishte kthyer në Prokurori për plotësim të hetimeve, ndërsa prokurori kërkonte pushimin e saj me pretendimin se nuk kishte prova të mjaftueshme. Pas rreth një viti, Apeli pranon pretencën e Prokurorisë për pushim të hetimeve dhe rrëzon vendimin e shkallës së parë për dënimin e Ismailajt.
Kujtojmë se, biznesmeni Kastriot Ismailaj është dënuar fillimisht nga gjykata e Tiranës me 11 vite burg. Ai u arrestua 12 maj 2015 nga Sektori i Pastrimit te Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar ne Policine e Shtetit per veprën e mashtrimit në shuma të mëdha dhe pastrimit të produkteve te vepres penale.
Në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, 649 milionë lekë, ose gati 6.5 milionë dollarë.
Nga “Debt International Advisori” paratë kanë dalë nga Shqipëria duke hyrë në llogaritë e dhjetëra kompanive të tjera, që veprojnë në rreth 15 shtete.
Sipas burimeve nga prokuroria, bëhet fjalë për shuma financiare që ka dyshime të forta se i përkasin njerëzve të politikës dhe personave VIP në Shqipëri, pasi kjo kompani fantazmë nuk ka kryer as vjeljen e borxheve të “CEZ Shpërndarje”, për të justifikuar transfertat, aq më tepër që shuma e transferta është shumë më e madhe se 5 milion euro.
Kastriot Ismailaj, nën “maskën” e marrëveshjes me kompaninë çeke, “CEZ Shpërndarja”, për mbledhjen e borxheve ka kryer mbi 100 transaksione bankare, para këto që kanë qenë të personave të rrethit shoqëror të tij.


