Këtë vit vaksinimi kundër gripit ka nisur edhe më herët se vitet e kaluar e ndikuar kjo nga pandemia e Covid-19. Si pjesë e planit vjeshtë-dimër, autoritetet shëndetësore kanë vendosur të fillojnë vaksinimin së pari te grupet e riskut, që është personeli shëndetësor për ta shtrirë atë më tej edhe te kategoritë e tjera të popullatës.
Sasia e dozave të vaksinës antigrip që është siguruar është katër herë më shumë se një vit më parë. Janë dhe rreth 368 mijë doza vaksinash, sasia e parë e të cilave ka mbërritur dhe ka filluar të shpërndahet. Por sa rëndësi ka bërja e vaksinës Antigrip këtë vit dhe sa ndikon realisht ajo në mbrojtjen tonë nga Covid-19?
Specialistja e Programit Kombëtar të Vaksinimit në ISHP, Iria Preza tha në “Wake Up” në Top Channel se gripi është mjaft i rrezikshëm, që mund të çojë deri në humbje jete.
“Gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet shumë lehtë nga njeriu të njeriu. Gripi në vite ka treguar që është një sëmundje e rrezikshme, e cila krijon komplikacione, shtrime në spital edhe vdekje.
Po të shikojmë shifrat e viteve të mëparshme për sezonet e gripit stinor, gjithmonë kemi pasur shifra ku kemi pasur humbje jete në gjithë botën.
Mjafton që të kujtojmë pak pandemitë që ka qenë shkaktar gripi dhe besojmë të gjithë e mbajmë mend pandeminë e 2009-s, e shkaktuar nga virusi AH1N1, i njohur si gripi i derrit. Pra, gripi është një vrastar i rëndësishëm”, theksoi specialistja.
E pyetur cili është më i rrezikshëm, gripi apo Covid, Preza bëri të ditur: “Të dyja janë sëmundje shumë të rrezikshme, shkaktohen nga dy viruse dhe shkaktojnë sëmundje respiratorë infektive, që siç e kemi parë mund të kemi komplikacione, shtrime në spital, por edhe vdekje.
Për gripin kemi një informacion më të saktë, ndërsa Covid është një gjë e panjohur për të gjithë.
Gripi shkaktohet nga viruset e gripit, ndërsa Covid shkaktohet nga një virus tjetër, Sars/Cov-2. Për gripin kemi një vakinë që mund të na mbrojnë, ndërsa për koronavirusin po punohet”.


