Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka vendosur si afat datën 30 Shtator për të përmbyllur draftin për ndryshimet Kushtetuese të Kodit Zgjedhor.
Në zbatim të vendimit të Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike të datës 14 Shtator, sot u zhvillua mbledhja e grupit të punës për hartimin dhe propozimin e amendamenteve që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
Tre anëtarët e këtij grupi pune, deputetët Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Korab Lita u njohën me propozimet e mbërritura në Kuvend, konkretisht ai i Partisë Socialiste dhe disa amendamente të artikuluara nga Grupi Demokrat.
Përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Korab Lita shprehu disa rezerva mbi propozimet e paraqitura dhe kërkoi më shumë kohë në dispozicion për të depozituar në këtë grup pune propozimet e tij në emër të opozitës parlamentare.
Grupi u dakordësua që të vazhdojë punën dhe të rimblidhet gjatë pasdites së sotme për tu njohur me propozimet e Litës, në kërkim të arritjes së konsensusit sa më të gjërë për amendamentet e Kodit Zgjedhor.
Parlamenti do të votojë në 1 Tetor ndryshimet e Kodit Zgjedhor të propozuara nga Partia Socialiste dhe për të cilat ende nuk ka konsensus në Këshillin Politik.


