Ashpërsimi i Kodit Rrugor për ata shoferë që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ka kaluar për konsultim në Kuvend. Ajo që ka pësuar ndryshim rikthim në autoshkollë për marrjen nga e para e pantentës dhe dhënies së provimit nëse humbet të 20 pikët që mban leja e drejtimit.
Gjithashtu të fortët që qarkullojnë me mjetet të blinduara pa leje do të gjobiten nga 100 mijë -200 mijë si dhe do u konfiskohet mjeti. E njëjta masë vlen edhe për ata që zotërojnë mjetin e blinduar me autorizim, por ia japin ta drejtojë një person i paautorizuar.
“Kushdo që qarkullon me një mjet të blinduar, për të cilin mungon autorizimi i lëshuar nga organi kompetent, ndëshkohet me masë administrative me gjobë, nga njëqind mijë deri në dyqind mijë lekë dhe zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit administrativ të mjetit. Të njëjtat masa zbatohen ndaj zotëruesit të mjetit nëse ky i beson mjetin një drejtuesi të paautorizuar”, thuhet në Kodin Rrugor.
Kush humbet të 20 pikët nga patenta si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor ,, shoferi i kthehet autoshkollës për një kurs një javor dhe në fund jep provimin për marrjen sërish të patentës.
“Mbajtësi i lejedrejtimit ka në dispozicion një sasi prej njëzetë pikësh. Kjo sasi pikësh, shënohet në regjistrin kombëtar të personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve, të parashikuar në nenet 220 dhe 221 të këtij Kodi, më poshtë “Regjistri kombëtar”. Pikët hiqen si pasojë e shkeljeve të normave të sjelljes në rrugë, për të cilat është parashikuar një masë administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit, ose kur është e parashikuar në mënyrë specifike në dispozitat e kapitullit V të këtij Kodi. Sasia e pikëve që hiqet për çdo shkelje, rezulton nga vendimi i organit epror të agjentit verifikues dhe nga njoftimi i çdo kundërvajtje për të cilën në normat e këtij Kodi është parashikuar heqje pikësh. Me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit ndjek një kurs një javor pranë autoshkollave të licencuara. Në përfundim të këtij kursi, drejtuesi i mjetit i nënshtrohet provimit të kualifikimit teknik, sipas nenit 128 të këtij Kodi dhe akteve të tjera normative në fuqi”, thuhet në Kodin Rrugor të ndryshuar.


