Pneumologu Adrian Jorgji ka dhënë një lajm që nuk ishte shumë i pritshëm për qytetarët. I ftuar në “AbcNews”, në emisionin e mëngjesit, Jorgji tha se antitrupat që krijon një pacient pas shërimit nga Covid-19, e humbasin fuqinë e tyre, tetë javë më vonë.
Ai shtoi se duhet bërë kujdes edhe për faktin se në cilën periudhë bëjmë dhurimin e plazmës së gjakut, në mënyrë që antitrupat të jenë në kulmin e fuqisë së tyre.
“Pas javës së tetë ata që e kanë kaluar, igG që është matësi i antitrupave, në një masë gati 70% fillon edhe bie. Unë do të thoja që duhet të tregohemi vigjilent në lidhje me këtë situatë. Duhet të dimë se kur ta dhurojmë plazmën e gjakut,”– tha Jorgji.
Përsa i përket virozave të stinës, mjeku shtoi se duhet treguar kujdes për ngjashmëritë që kanë ato me koronavirusin.
“Referuar familjes së COVID, është një studim gjerman me 10 persona për familjen e COVID , që janë edhe shkaktarë të të ftohurës së thjeshtë. Dhe ka rezultuar që deri në 3-4 herë në vit mund të infektohesh nga kjo familje. Theksoj se është detyrë qytetare që të tregojmë kujdes edhe nëse kemi një të ftohur të thjeshtë,”– tha më tej mjeku.


