Kryeministri Rama ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA.
“Asnjë tradhëti burra”, shkruan Rama teksa uron kryeministrin Hoti për marrëveshjen e arritur.
Në postimin e tij Rama zbulon se Kosova tashmë është pjesë e Shengenit Rajonal, ndërsa shpreh dhe keqardhjen për humbjen e kohës. Nga ana tjetër vlerëson maksimalisht njohjen e Kosovës nga Izraeli.
Në fund kryeministri Rama bën apel se lufta për paqe me Serbinë nuk bëhet me shapata virtuale e as me damkosje digjitale tradhëtarësh imagjinarë.
“Asnjë tradhëti burra! Urime Kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi po vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare: Dialog për gjithçka, Bashkëpunim për çka mundet sot, Këmbëngulje për çka duhet nesër! Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal,si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin europian të shteteve tona. Njohja e Kosovës nga Izraeli është fruti fantastik i kësaj marrëveshjeje me potencial të madh zhvillimor, po edhe shembull për të gjithë që lufta për paqen përfundimtare me Serbinë nuk bëhet as me shpata virtuale kundër Beogradit, as me damkosje digjitale tradhëtarësh imagjinarë”, shkruan Rama.


