Kreu i AAK Ramush Haradinaj kërcënon kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti se nëse firmos marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, ai do të tërhiqet nga koalicioni.
Mediat në Kosovë raportojnë se Haradinaj do të tërheq të gjithë ministrat nga partia e tij nëse firmoset nga Hoti marrëveshja me Serbinë, pjesë e së cilës është dhe Liqeni i Ujmanit. Kreu i AAK-së thotë se e ka mësuar vetëm dje që Ujmani është pjesë e marrëveshjes.
Pak orë para nënshkrimit të marrëveshjes, edhe në Shtëpinë e Bardhë ka përplasje mes kryeministrit Hoti dhe të dërguarve të Haradinajt, pasi ai nuk po pajtohet me marrëveshjen. Haradinaj ka thënë sot për Radio Evropën e Lirë se nuk e pranon marrëveshjen që pritet të nënshkruhet sot, pasi sipas tij, aty bëhet fjalë edhe për Liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës.
“Ujmani është një liqen që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, ka thënë Haradinaj.
Kështu, pak muaj pas formimit të qeverisë së re e përbër nga LDK dhe AAK, me kryeministër Avdullah Hotin, duket se “themelet e saj” rrezikohen seriozisht nëse Hoti firmos marrëveshjen me Vuçiç.


