Banorët e fshatrave Povelç e Darzezë në Fier kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak se ujqërit dhe çakejtë janë kthyer në një rrezik serioz ta.
Sipas banorëve, kafshët e egra shfaqen nga pylli Bishtmbret dhe “bëjnë kërdinë” në shpendë e bagëti, por këto kafshë po rrezikojnë edhe jetën e fëmijëve.
“Ujku është pothuajse i përnatshëm këtu, po mos ta ndjejmë që në moment ai të bën hatanë.
Para një muaji ma mori kafshën. Çakalli ka frikë nga ujku, kur nuk i ndjen çakejtë është ujku në zonë.
Kur largohet ujku që këtu fillojnë çakejtë ulërijnë” u shpreh një banor.
Banorët kërkojnë marrjen e masave nga shteti, pasi blegtoria është e vetmja mënurë mbijetese për ta, ndërsa kryeplaku i fshatit thotë se brenda një nate kafshët e egra kanë ngrënë deri në 18 krerë bagëti.
“Sot e 3 vjet ka rënë ujku këtu në fshat dhe kanë ngrëne 18 krerë bagëti brenda në vathë. Kanalet janë pa pastruar dhe ai rri në kanal freskët.
Edhe pardje po bën 2-3 ditë i ka marrë një gjitonit tonë këtu 3 krerë qengja.
Ne këtë zanat kemi vetëm që rrimë mblidhemi familjarisht e ruajmë mallin që të mos hyjë këtu brenda” u shpreh ish-kryeplaku.


