Kritiku i zëshëm i Kremlinit, Aleksei Navalny ndodhet në kujdes intensiv në një spital në Omsk, ku po trajtohet për helmim potencial, ka thënë zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh.
Mediat e huaja kanë publikuar edhe foton e fundit të tij në aeroport, ku Navalny shihet me çajin në dorë dhe i menduar.
Navalny nuk është ndjerë mirë teksa është kthyer në Moskë nga qyteti siberian, Tomsk, çka ka çuar në ulje të paplanifikuar të avionit në Omsk, ka thënë Yarmysh në Twitter.
Sipas agjencisë së lajmeve, TASS, mjeku Aleksandr Murakhovsky, ka thënë se Navalny është “në gjendje të rëndë”. Navalny, kritik i madh i presidentit rus, Vladimir Putin, ka bërë përpjekje për shpërfaqje të korrupsionit në Rusi.
Ai është burgosur disa herë vitet e fundit, si dhe i është ndaluar të garojë për president, apo për kryetar të Moskës.
Yarmysh ka thënë se Navalny është helmuar edhe vitin e kaluar kur ka qenë në një qendër të paraburgimit. “Ata i kanë bërë të njëjtën gjë edhe tani”, ka deklaruar ajo.





