Arrestohet autori i vrasjes së 23-vjeçarit Gledis Kraja në Shkodër. Burime zyrtare bënë me dije se falë reagimit në kohë të strukturave të DVP Shkodër, rrethimit të zonës, kontrolleve të shumta të ushtruara në bashkëpunim me FNSH dhe presionit të ushtruar nga forcat e policisë duke mbajtur në rrethim zonën ku fshihej, u bë e mundur vënia në pranga e autorit të ngjarjes së mbrëmshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri dhe më pas humbi jetën 23-vjeçari Gledi Kraja.
Sipas policisë, në pranga ka rënë Stjuart Smakaj dhe jo siç u deklarua në fillim Sebastjan Smakaj. Po kështu policia ka sekuestruar edhe armën e zjarrit të modifikuar që e kishte me vete Stjuart Smakaj.
Në vendngjarje policia ka sekuestruar 18 gëzhoja të qitura nga kjo armë zjarri.
Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe babai i dy vëllezërve Smakaj si i përfshirë në këtë ngjarje.


