Koreja e Veriut ka shpallur gjendjen e emergjencës, pasi një person i dyshuar me COVID-19 ka hyrë në territorin e saj, raporton Daily Mail.
Personi i dyshuar është nga Koreja e Jugut, ndërsa nëse konfirmohet me koronavirus ky do të ishte rasti i parë në Korenë e Veriut, që deri më tani nuk ka raportuar asnjë rast me COVID-19.
Kim Jong Un shpalli gjendjen e emergjencës dhe vendosi karantinë në qytetin kufitar, Kaesong, duke thënë se kjo është një situatë kritike, në të cilën virusi mund të thuhet se ka hyrë në vend.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, KCNA, një person që kishte dezertuar në Korenë Jugore tri vjet më parë është kthyer në vend përmes kufirit të fortifikuar duke pasur simptoma që lidhen me sëmundjen Covid-19.
Kjo agjenci nuk tregoi nëse personi i dyshuar është testuar, por shtoi se rezultati është arritur nga disa kontrolle mjekësore nga lëngjet trupore të traktit të sipërm respirator dhe përmes gjakut. Zyrtarët e kanë futur këtë person në izolim dhe po hetojnë kontaktet që mund t’i ketë pasur.


