Policia e Korçës ka arrestuar 1 person, ndërsa ka shpallur në kërkim dy të tjerë, si autorë të dyshuar të vjedhjes së 9 banesave dhe bizneseve. Burime zyrtare bënë me dije se si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit me inicialet D. H., 17 vjeç, si edhe u shpallën në kërkim shtetasit R. B., 20 vjeç dhe R. Sh., 17 vjeç, banues në Korçë.
Forcat e policisë, kanë kapur në flagrancë shtetasin D. H., duke vjedhur në banesën e shtetases D. F., në lagjen nr. 11. Nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e grumbulluara, dyshohet se ky shtetas në bashkëpunim me dy të tjerët janë autorë edhe të 8 vjedhjeve të tjera të ndodhura muajin e fundit në qytetin e Korçës, në lagjet nr 1, 3, 4, 6, 10, 12 dhe 18, ku në banesat, dyqanet dhe magazinat e qytetarëve të ndryshëm janë vjedhur materiale ndërtimi, instalime elektrike e hidraulike, sasi lekësh, televizor, bizhuteri të ndryshme dhe orendi shtëpiake, një pjesë e të cilave u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë”.


