Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero është shprehur lidhur me vendimin e fundit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, për të ndaluar muzikën pas orës 20:00 në lokale, pasi nxit grumbullimin e njerëzve të cilët mund të bëhen shkak për përhapjen e virusit.
I ftuar në Oranews, Pipero tha se Covid-19 nuk ka fashë orare, ai lëviz sa herë lëvizim ne.
Mjeku i njohur tha se muzika është si dielli, shëron nuk infekton, por është parë si një mjet nxitës për grumbullimin e të rinjve të cilët mund të jenë mbartës të virusit dhe e transmetojnë atë pa vetëdije.
Pipero: Virusi lëviz me ne, sa kohë lëvizim në 7 ditët e javës virusi do të lëvizë me ne. Virusi nuk ka fasha orari. Unë besoj se ndalimi i funksionimeve të klubeve të natës dhe muzikës, nuk është qëllim në vetvete, por ka për objektiv frenimin e qarkullimin e virusin mes të rinjve që frekuentojnë lokalet e natës.
Muzika njëlloj si dielli, si ajri, apo mjedisi i hapur shëron. Problemi është se të rinjtë nuk e kanë kuptuar që janë transmetues të heshtur, pasi nuk sëmurën kur infektohen, por e transmetojnë virusin.
Të gjitha lokalet dhe baret, si ditën ashtu edhe natën, duhet të respektojnë protokollet e sigurisë. Klubi i natës është për argëtim. Nuk mund të kërcejmë 2 metra larg njëri-tjetrit. kjo është e dobishme për të frenuar përhapjen e virusit.


