Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka nisur një shkresë bankave dhe Hipotekave për të verifikuar pasuritë e Arbër Çekajt, Donaldo Lushajt dhe Armando Pezakut në lidhje me sasinë prej 613 kg kokainë që u kap në Portin e Durrësit, thonë burimet për ABC News.
Ngarkesa me kokainë u transportua me konteiner së bashku me një porosi bananesh nga Kolumbi, për llogari të kompanisë “Arbri Garden”. Pronari i saj, Arbër Çekaj ndodhet jashtë Shqipërisë dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa menaxheri Donaldo Lushaj dhe shoferi i kamionit Armando Pezaku ndodhen në burg.
Ndërkohë, mediat kosovare shkruajnë një pjesë e kokainës që u kap në Portin e Durrësit është porositur nga “grupe të fuqishme nga Kosova që veprojnë në Zvicër”.
Dyshohet se një sasi e kësaj kokaine do të shitej në tregun zviceran për llogari të grupeve kosovare. Sipas shtypit në Kosovë, dyshimet janë ngritur nga udhëtimet e shpeshta në Kosovë Donaldo Lushajt, menaxherit të kompanisë. /tvklan.al