31 dhjetori është kaq afër dhe kjo do të thotë vetëm një gjë: shumë, shumë nostalgji për Vitin e Ri 2000.
Ishte viti kur bota hyri në një shekull të ri, që do të sillte me vete një zhvillim të paparë teknologjie në të gjitha drejtimet. Nëse dikush do të na kishte thënë se Vitin e Ri 2018 do ta kalojmë duke i parë fishekzjarret përmes lentes së kameras së smartphone-it, mund të na ishte dukur një marrëzi futuristike.
Bota vazhdon dëgjon “All I Want for Christmas is You”, por tashmë në Youtube apo Spotify. Dhe meqënëse vetë jemi rritur në epokën e magnetofonit, në këtë periudhë të vitit ka ca gjëra që na rikthehen çdo herë, veçse vetëm në mendje.
Maratona e këngëve më të bukura të vitit në TV
Ju kujtohet se dikur në fundvit, televizionet transmetonin hit parade-n e këngëve më të bukura? “MTV” vazhdon ta bëjë, por televizionet shqiptare e braktisën këtë formulë që kur panë se njerëzit mund të krijonin një hit parade personale në Youtube.
Megjithatë, s’mbaj mend cila ka qenë kënga e fundit që s’më është mërzitur brenda një jave ngaqë mund ta dëgjosh sa herë do.
Një pjesë të mirë të atmosferës festive e krijonte muzika me të cilën zgjoheshe në mëngjesin e 31 dhjetorit, kur televizori buçiste ndërsa gjyshja ishte zgjuar që në 5 për të bërë gati hajet e darkës së ndërrimit të viteve.
Dy kuti filmash për aparatin
Aparatet me film janë diçka e shkuar e harruar dhe me thënë të drejtën, s’ka asgjë më letësuese se fakti që mund të bësh sa foto të duash, mund t’i rishikosh dhe të fshish ato që të pëlqejnë, dhe të mos të të duhet të presësh sa të lahen.
Megjithatë, duhet pranuar se rruga për tek fotostudio për t’i marrë më në fund, ishte një super emocion.
Dhe pozat, ah pozat!
Dhe fakti që dikush flijohej për të bërë foton dhe nuk ishte asnjëherë në fotot familjare të fundvitit. Zakonisht babi, sepse një djallush i vogël i kishte mbushur mendjen që s’di të pozojë, kështu që më mirë të merret me shkrepjen.
Koncerti i fundvitit
Një event i mirëorganizuar me skaletë, skenar dhe numra koreografikë. Fëmijët e atëhershëm kanë qenë producentë të lindur, tjetër punë se rrethanat na çuan në call center.
Më shumë afrimitet dhe më shumë frymë familjeje: i mbani mend kushërijtë tuaj artistë, secili me një talent të veçantë?
Dhe meqë ra fjala: cili prej jush ishte këngëtari i fisit?
E ngrëna sa për gjithë vitin
Kur mendoj lumturinë, mendoj një tavolinë të madhe të shtruar mbarë me ushqime plot vaj, djathë, kripë, sheqer. Epo, diçka e tillë ishte darka e fundvitit atëherë kur s’e dinim ç’janë kaloritë.
Tani që jemi rritur e kulturuar dhe e dimë ç’janë karbohidratet dhe proteinat, kërkojmë falje 100 herë përpara se ta gllabërojmë copën e bakllavasë. Java e parë pas vitit të ri është një vetëndëshkim që ne na pëlqen ta quajmë “detoks”.
Mrekullia e dhuratave
Atëherë kur nuk e kuptonim se lumturia nuk është të marrësh, por të japësh, gëzimi i hapjes së një dhurate ishte kaq i brendshëm , i sinqertë, kaq shpirtëror.
Sot që e dimë se të japësh është më bukur se të marrësh, u dhurojmë vetëm atyre që e kemi të domosdoshme, fjala vjen shefit apo mikut që të ka bërë ndonjë nder, e kështu me radhë.
Ndoshta duhet të na kishin mësuar të marrim, që tani të donim vërtet të japim.
Lumturia e pamatë kur dëgjoheshin fishekzjarret e parë
Ky ishte momenti që kishe pritur gjithë vitit. Kë e zinte gjumi, i lutej të gjithëve ta zgjonin pak përpara 12-ës për të dalë në dritare e për të shprehur një dëshirë. A thua shashka e madhe që blinte çdo vit Çimi, bosi i lagjes, kishte fuqi të mbinatyrshme.
Kurse tani, një Zot e di sa shumë do të donim ndonjëherë të mund të kishte një buton “mute” për ato fishekzjarre, që të mund të flemë rehat.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.


