Sabah Nuzi, i akuzuar si ekzekutor i Klevis Lleshit në vitin 2020 kundrejt shumës prej 50 mijë eurosh, u njoh nga Gjykata e Posaçme me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në seancën me dyer të mbyllura, avokati i tij, Elton Hysenaj, deklaroi se klienti mohoi përfshirjen në krim dhe kërkoi pavlefshmërinë e komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC, të cilat SPAK i konsideron si provë kyçe në zbardhjen e vrasjes së bujshme me motive gjakmarrjeje.
Sipas dosjes hetimore, vrasja e Klevis Lleshit dyshohet se u urdhërua nga Aurel Hoxha, alias Kolaveri, si hakmarrje për ekzekutimin e vëllait të tij, Agim Hoxha, i cili më pas u dogj në Britaninë e Madhe nga Arben Lleshi, kushëriri i viktimës. Në komunikimet e përgjuara, Aurel Hoxha shkruan: “I rregullova të 4-ërt”, frazë që hetuesit e interpretojnë si referencë për katër viktimat e familjes Lleshi – Xhavit, Hajredin, Artan dhe së fundmi Klevis Lleshin.
Në këtë çështje përfshihet edhe Samet Loka, i konsideruar pjesëtar i grupit të Aurel Hoxhës, i cili u la në arrest shtëpie nën akuzat për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup kriminal.


