Në vitin 2017 në Shqipëri u kryen 199 vetëvrasje, sipas të dhënave që janë publikuar nga INSTAT, me një rënie prej 11.5% (26 persona më pak) në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ndonëse ky është niveli më i ulët që nga viti 2012, kur raportohen të dhënat, sërish vetëvrasjet mbeten mbi tre herë më të lrta sesa vrasjet (që në vitin 2017 ishin 63).
Vetëm ditën e djeshme ishin dy raste të reja ku tek i pari një 47-vjeçar u gjet i varur në shtëpi nga familjarët e tij. Dhe sipas burimeve arsyeja e vetëvrasjes ishte SEDRA, 47 vjeçari akuzohej për vjedhje në banesën e fqinjit të tij.
Dhe një rastin e dytë një 35 vjeçare në Fier i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt ku banonte për shkaqe ende të paditura. E reja ndërroi jetë sapo mbërriti në spital.
Por cilat janë grupmoshat që vrasin më shumë veten dhe qytetet ku shënohet numri më i lartë i vetëvrasjeve në raport me popullsinë?
Sipas të dhënave të “INSTAT” dhe “Monitor” numri i vetëvrasjeve ka shënuar një rritje të ndjeshme për të rinjtë e moshës 20-29 vjeç.
Në këtë grupmoshë u kryen gjithsej 34 vetëvrasje vetëm 5 muajt e parë të vitit ose e thënë ndryshe me një rritje prej 41% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Meshkujt janë ata që dorëzohen më shpejt përpara vështirësive të jetës, me 68% të vetëvrasjeve në total. Rekordi është në Elbasan ku 12 meshkuj vranë vetën në 2017-n dhe vetëm një femër.
Rrethi që ka më shumë vetëvrasje në vlerë absolute është Tirana, me 37 persona që e kanë ndërprerë jetën përpara kohe (65% ishin meshkuj). Por, nëse i llogarisim sipas numrit të banorëve, kryeqyteti shqiptar rezulton i fundit, me 4.3 vetëvrasje për 100 mijë banorë.
Qarku më problematik është Lezha, me 13.2 vetëvrasje për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Korça (11.2), Berati (9.9), Durrësi (9.1).
Qarku ku kryhen më pak vetëvrasje në fakt është ai më i varfëri, Kukësi, me 2.5 vetëvrasje për 100 mijë banorë.
Në total, në Shqipëri në vitin 2017 u regjistruan 6.2 vetëvrasje për 100 mijë banorë. Ky është një ndër nivelet më të ulëta në rajon, pas Greqisë me 5.4.
Në rajon kryeson Serbia me 19.5 vetëvrasje për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Mali i Zi (12.4), Maqedonia (9.9), Bosnja (7.1). Italia e ka këtë tregues 8.7, ndërsa mesatarja globale është 10.7.
AlpeNews.al


