Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 30 vatra zjarri, nga të cilat tetë vijojnë të jenë aktive.
Sipas njoftimit zyrtar, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 502 forca operacionale, ndërsa në mbështetje të ndërhyrjeve janë përfshirë 110 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe avioni zjarrfikës “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit, operacionet për shuarjen e zjarrit vijojnë, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërhyrjet vijojnë edhe në Priskë dhe Çakallesh, pa rrezik për komunitetin.
Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, në bashkinë Mallakastër, forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit në terren të vështirë, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe Mjekësit. Zjarri në Shqiponjë është vendosur nën kontroll, ndërsa vatra në malin e Dardhës është izoluar.
Në Kostren 2, bashkia Berat, vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e një vatre të riaktivizuar, me angazhimin e forcave dhe mjeteve zjarrfikëse.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera të sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin e vendit.


