Këshilli Bashkiak i bashkisë së Mallakastrës u konstituua sot si dhe u betua kryetari i ri i bashkisë, Qerim Ismailaj.
Në ceremoni mori pjesë edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, njëherazi koordinator politik i jugut për PS.
Në mbledhjen e sotme u zgjodh kryetare e Këshillit Bashkiak Mbarime Isufi, ndërsa dy nënkryetarë Nezhmi Sula dhe Gençi Malaj.
Gjatë fjalës së tij kryetari i ri i bashkisë, Qerim Ismailaj u shpreh se në katër vitet e ardhshme do të jetë në shërbim të qytetarëve të Mallakastrës, qofshin ata të majtë apo të djathtë.
“Është një nder i madh të përfaqësosh në detyrën e kryetarit të bashkisë Mallakastrën tonë. Do bëjmë të mundur që Mallakastra të ndryshojë në të gjithë sektorët e saj. Unë shpresoj dhe besoj që bashkë me këshillin e ri bashkiak do bëjmë të mundur që në fund të mandati 4-vjeçar, Mallakastra të ketë pësuar ndryshim të dukshme në të gjitha fushat”, deklaroi Ismailaj. /ATSH