Një nga dilemat më të mëdha që ka shoqëruar debatin rreth “Beslidhjes së Bulevardit” të thirrur nga Presidenti i Republikës në pasditen e 2 marsit, lidhet me pyetjen: Nëse do e firmosë apo jo Ilir Meta, një dekret për shpërndarjen e Parlamentit.
Më shumë sesa një dilemë shekspiriane “shpërndarja e Parlamentit” është thjeshtë një dëshirë opozitare,- për të nxjerrë gështenjat e pamundësisë së tyre për ta mundur Edi Ramën me votë,- me duart e Kreut të Shtetit.
Pyetja që shtrohet është: A ka kopetenca kushtetuese Presidenti për ta shpërndarë Parlamentin? Dokumenti themeltar i shtetit tonë, parashikon tri raste kur shpërndahet Parlamenti:
RASTI I PARË: Sipas Nenit 96 të Kushtetutës, Presidentit në fillim të legjislaturës ose kur vendi mbetet vakant, me propozim të partisë ose koalicionit që ka fituar shumicën e vendeve në Parlament, emëron Kryeministrin e ri. Sipas pikës 4 të këtij neni “kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin”. Por, ne nuk jemi aktualisht në këto kushte. Ndaj, ky rast bie.
RASTI I DYTË: Sipas Nenit 104 të Kushtetutës “Kryeministri ka të drejtë ti paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit”. Edhe ky rast bie, pasi nuk jemi në kushtet e një mocioni nga ana e Edi Ramës për ministrat e tij.
RASTI I TRETË: Sipas Nenit 87 të Kushtetutës, përgjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës në Parlament, pika e 5 e tij parashikon: “në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.” Siç shihet, aktualisht nuk jemi as në këtë situatë politike.
Në këto kushte, Presidenti i Republikës nuk ka asnjë shans, asnjë mundësi, asnjë tagër dhe asnjë të drejtë kushtetuese e ligjore, që të firmosi ndonjë dekret për të shpërndarë Parlamentin. Sepse sipas Nenit 94 të Kushtetutës: “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kopetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”.
Pyetja e fundit “alla shqiptarçe” mund të jetë. Pavarësisht të gjitha këtyre, po nëse Ilir Meta firmos shpërndarjen e Parlamentit, çfarë ndodh?!
Atëherë, ku do të ishte fundi i tij politik e juridik, por jo fundi i këtij Parlamenti që gëzon legjitimitetin e dhënë nga qytetarët shqiptarë me votën e zgjedhjeve të 2017, që të vijojë punën normalisht derisa të zëvendësohet nga Parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e reja të qershorit 2021.
Alpenews.al