– Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen nesër në Berlin të Gjermanisë në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se i pranishëm në samitin e 10-të të Procesit të Berlinit do të jetë edhe kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të 5 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Iniciativa e nisur në vitin 2014 që mori jetë nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel shënon këtë vjeshtë 10-vjetorin. Në samit do bashkohen edhe zyrtarë dhe përfaqësues të vendeve të BE-së, ndërsa në fokus të samitit do jetë thellimin i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe axhendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Axhenda e samitit ende nuk është bërë publike, por një media kroate ‘N1 info’ shkruan se në takim do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për një plan të ri veprimi për një treg të përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.
Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.


