Pas 4 mbledhjeve të dështuara, Komisioni Hetimor i Shëndetësisë do të mblidhet sot në orën 13:00, pas dakordësisë së palëve për të kthyer punën në normalitet.
Teksa PS do të kthehet në tryezën e punës, ka gati edhe propozimin për planin paraprak të hetimit. Partia Socialiste do të propozojë përfshirjen në planin e hetimit parlamentar të vizitave në terren për të parë nga afër sesi janë zbatuar kontratat: ajo e check-upet dhe sterilizimit, si dhe intervista të ndryshme me stafin dhe pacientët.
Struktura organizative e Planit Hetimor të PS ka 7 hapa. Plani i dakordësuar i hetimit, që do të ketë të integruara propozimet e bëra më herët nga opozita dhe dokumentin e PS, pritet të miratohet sot.
Hapi 2: Përcaktimi i Kufijve dhe Juridiksionit të Hetimit
Hapi 3: Strukturimi i Ekipit Hetimor
Hapi 4: Planifikimi i Procesit të Mbledhjes së provave
Hapi 5: Seanca të Dëgjimit dhe Analizë
Hapi 6: Raportimi dhe Rekomandimet
Hapi 7: Ndërmarrja e Veprimeve të Mëtejshme
Zhbllokimi i punës në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi vjen pasi opozita kërkoi ndërhyrjen e Lindita Nikollës dhe pas një takimi që kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi pati me kryeparlamentaren, takim në të cilin u informua se nuk ka një vendim politik të PS për të bojkotuar punën e komisioneve hetimore, por se palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët brenda komisionit.
Partia Socialiste refuzonte të merrte pjesë në Komision prej 4 mbledhjesh, me argumentin se kryetarja Albana Vokshi e kishte kthyer në një proces partiak hetimi dhe se merrte vendime për të thirrur mbledhjen, në mënyrë të njëanshme.
Komisioni Hetimor i Koncesioneve në Shëndetësisë ka hartuar deri më tani vetëm listën e dëshmitarëve, ku do të thirret si dëshmitar kryeministri Edi Rama ish ministrat Beqaj e Manastirliu, ministrja Albana Koçiu e të tjerë funksionarë apo ish funksionarë të lartë të ministrisë së shëndetësisë. Ky komision po heton koncesionet e check-up dhe sterilizimit ndërsa është tërhequr nga hetimi i hemodializës dhe laboratorëve mjekësorë.